Lajmet e fundit
Kryefaqja / Ballina / REMZI BASHA:Femra si dhuratë e Perëndisë dhe Poetika e romanit romantik

REMZI BASHA:Femra si dhuratë e Perëndisë dhe Poetika e romanit romantik

Romani “Drita e Dashurisë” është një nga subjektet e preferuara të lexuesit për lumturimin e shpirtit. Tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për kulturë, për poezi, për tradita, në kushtet në të cilat një pjese të shoqërisë, gjithnjë e më shumë i mungon e vërteta, ëndërrimi dhe guximi. Pse? Sepse bota po depërton në vjeshtën e humanitetit. Gjethet e shpirtit po zverdhen me shpejtësi të madhe dhe pikin, kurse dashuria nuk po shkruhet me shkronjë të madhe. Autori i romanit e zotëron mjeshtrinë e përdorimit të fjalës që bashkon: shpirtin me shpirt, zemrën mer zemër, trupin me trup. Në trupin e fjalëve të tij zotëron dashuria ndaj femrës, dashuria ndaj jetës dhe dashuria ndaj atdheut. Remziu ka krijuar një familje të bukur dhe vjen para nesh me mendime briliante për botën, për jetën dhe dashurinë.

Subjekti elementar i romanit të Remzi Bashës është dashuria, të cilën poeti e konsideron si një forcë magjike që e mban këtë tokë të lidhur për qielli. Në fillim të shekullit XIX-të, lulëzonte në Vienën sharmante piktura e Gustav Klimtit, që na fanitej plot salltanete mëndafshi dhe kadifeje, një konstelacion stolishë të lazdëruara në ritme valsi. Në qendër të kësaj frononte gruaja e lëngshme, dashamire ornamentesh, ajo vetë një ornament i këtij arti të robëruar nga fama e Jugendstilit, një nga jakat e fundit të periudhës që mbante emrin La belle epoque. Ndjeshmëria që e fisnikëron femrën e Remzi Bashës është si një dukje pikturale.

Poetika e romanit poetik vjen në gjuhën shqipe duke kultivuar një gamë asociacionesh dekorative në lëndinën e senzualitetit, për t’u kundruar dhe çikur me ëmbëlsi dhe delikatesë, duke kërkuar me pangopshmëri shijen e dashurisë,  duke i përmbushur zbrazëtirat e jetës me dashuri. Zakonisht, Remzi Basha din na befasojë me çdo libër të ri, indiferent nga gjnia letrare që trajton, autori duke shtjelluar me gjendshmëri, stile, kanone, konvecione, të poseduara butësisht me çmimin e një vërtitjeje tokësore. Poezia të dhuron rininë e përjetshme, dritën e jetës dhe dritën e dashurisë.

Vepra respektive është romani i parë poetik i bibliotekës së sentimenteve letrare. Remziu din t’i respektojë standardet e larta të idealit dhe moralit shqiptar. Ai din të jetë gjithmonë i disponuar dhe kjo vërehet jo vetëm në vëllimet e tij poetike, por edhe në faqet e romanit respektiv. Në libër ballafaqohemi edhe me vargje e momente të tensionuara, por interesante për mirëkuptim dhe deshifrim. Librit i mungojnë banaliteti, absurditeti dhe artificialiteti, pornografia, mëritë dhe fanatizmi, botëkuptimet primitive dhe mediokriteti provincional, urrejtjet, intrigat, interesat meskine, traumat dhe gabimet e personazheve, ngase ato nuk ekzistojnë. Nuk ka poet që nuk e ka përjetuar dashurinë e vërtetë gjatë jetës së tij. Poeti e konsideron femrën si një zjarr të shenjtë. Dashuria është zjarri i bekuar që të jep fuqi dhe shëndet. Ka vetëm dashuri, pa dhimbje e lot që tokën e shpojnë.

Impresionojnë faqet ku bën fjalë për shpirtin shqiptar, për shqiptarin që digjet për komb e atdhe: Shqiptari ngado që shkon vendin e vet nuk e harron. Shpirti shqiptar është një shpirt i florinjtë, i lindur nga drita e lulet, dhe nga mendimi i parë që ia ka dhënë Zoti për dashurinë. Der Kraft kommt aus dem Herzen, thonë gjermanët (Fuqia vjen nga Zemra). Thonë e ç’nuk thonë. Thonë se ilaçet bëhen nga shpirtërat e njerëzve të mirë. Përshkrimet janë reale dhe imagjinare. Meritojnë t’i lexosh deri në faqen e fundit. Në disa momente, Remziu e gërsheton humorin me realitetin, bën fjalë edhe për disa romane të dashurisë shqiptare dhe universale, duke i dhënë prioritet romantizmit mënjanë, dhe realizmit në anën tjetër.

Mendimet e autorit për jetën dhe botën, e qartësojnë kujtesën e trurit dhe e përmirësojnë shëndetin e shpirtit. Autori din ta kuptojë fjalën e bukur dhe shijen e ëmbëlsive femërore. Në kuptimin e fjalës së bukur për të bukurën, Remzi Limani në Kosovë dhe Remzi Basha në Suedi, bëjnë hyjnizimin e lojës së shtratit, duke e shpalosur të bukurën deri në palcën e shijes dhe formave dehëse, të cilat i shtrojnë të gatshme para syve vigjilentë të lexuesve tanë. Që të dy i ofrojnë publikut shansin për ta shijuar femrën si një fuqi terapeutike që jep dashuri, gëzim, frymëzim dhe lumturi. Nuk ka nevojë për filozofime të kota, por mjafton të transmetojmë mendimin e sinqertë të një malësori të thjeshtë nga fshatrat e Tetovës i cili thotë: “Femra është si llokumi. Ngado që ta kthesh është e butë, e ëmbël dhe e shijshme.” Një femër të këtillë e gjejmë edhe në faqet e romanit të Remzi Bashës.

Zëri i Remzi Bashës po dëgjohet në të gjitha trojet shqiptare. Romani i tij mund të konsiderohet si një dëshmi për reflektim ndjenjash të dashurisë ndaj atdheut, bukurisë, femrës dhe poezisë. Remziun parasëgjithash e kemi poet, ndërsa shpirti i poetit është më i madh se toka, më i gjerë se qielli, më i thellë se oqeani. Autori na befason me mjeshtrinë reflektimit të momenteve dhe thellësinë e përshkrimit të përjetimeve të personazheve. Libri i tij na dhuron tekste të një hijeshie dhe vlere të rrallë në botën e shkrimtarisë. Remzi Basha njihet poashtu edhe si atdhetar besnik dhe veprimtar i shquar i diasporës shqiptare. Në kohën e luftës, autori pat guxim të marrë një qëndrim të prerë, duke shkruar për heronj dhe heroina, duke i dhënë prioritet kryetrimit legjendar të Dardanisë, Adem Jasharit.

Drita e poetit, ekzistenca e dritës dhe kënga e detit

Remziu njihet si njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare. Ai qëndis poezi ku dëgjohen pëshpëritjet e truallit shqiptar, sepse ai din ta pasurojë universin me vlera të reja që ushqehen me gjuhën e dashurisë. Ai din të krijojnë perla poetike të përzjera me elemente të realitetit dhe imagjinatës. Kjo më duket shëmbëlltyra më e gjallë që m’u fanit para se të lexoj disa nga vëllimet e tij që mbajnë peçetën e një bibliografie tejet interesante. Në romanin e Remzi Bashës ballafaqohemi me momente specifike të natyrës kosovare. Si çdo subjekt i rëndësisë madhore, në veprat e autorit Kosova troket përmes akrepave të orës së njërit nga shkrimtarët më të padiskutueshëm të diasporës shqiptare të Suedisë.

Shpirti i shkrimtarit duket si një shkëlqim drite mbi përjetimet personale. Atë që kemi thënë për Remzi Limanin, vlen ta rithemi edhe për Remzi Bashën: Vepra respektive na pasqyrohet sikur një pikturë me tërë lakuriqësitë bardhoshe të bukurisë femrërore, e cila hapëron gjithandej faqeve të këtij romani me gjithë mrekullitë e përshkruara nëpër konfiguracionin e trupit të femrës dhe hyjnisë së saj, e cila na del e pazëvendësueshme në mendjen e çdo mashkulli, i cili e meriton të jetë krah saj, dhe i cili, me plot respekt e konsideratë e trajton të bukurën fizike dhe mistikën e femrës me gjithë mrekullitë përrallore të saja, pa të cilat, përshkrimi dhe dashuria ndaj të bukurës do të mbetej nën zbehtësinë e fjalës.

Nganjëherë, shprehja e disa burimeve shpirtërore tejet komplekse, mund të konsiderohet si një përmbushje e ëndërrimeve neoromantike, gjë që përbën një koinçidencë të mirëfilltë të palës së dashuruar. Romani i Remzi Bashës privilegjon harmoninë ideatike dhe klasike në kërkim të ekuilibrit. Mbi këtë sfond, takohemi edhe me disa peisazhe luksuriante, thuase të shkëputura nga pëlhurat hiperimagjinative të disa krijuesve të huaj. Dita e nata metamorfozohen në mënyrë fluide, në një përpjekje të përgjithshme erotike. Magjia e diversitetit tenton drejt unifikimit. Shenjat janë një dukuri e pashmangshme enigmash të destinuara shkëlqimit, në një lojë të misterit me misterin. Ekzistojnë momente kur dimensioni shpirtëror thellohet, sensibiliteti duke e mbështjellë në mënyrë briliante dhe estetike lojën sublime kur gjithëçka duket e bukur.

Bashkëpërkimi trup e shpirt invokon hipostaza paradisiake (parajsore). Krejt natyra „konspiron” për krijimin e konditave optime të zhvillimit të anës sentimentale. Simbolet janë prezente sidomos në vargjet si: Mbrëmë të takova në ëndërr. Ishe duke eceur ngadalë, shtigjeve ku isha duke të pritur gjatë natës. Më kërkoje dhe të kërkoja. Qielli i hapi portat e yjeve që e shndrisnin botën e takimit tonë të parë. Hëna shkëlqente duke na buzëqeshur, duke të ftuar të vish në gjirin tim që të të bëj përsëri të lumtur. Takimet tona krijuan kujtimet më të bukura në botë. Mrekullia si një përrrallë tejmatanë botës, e shpie autorin drejt një modus vivendi të çiltërt, me vezullime dritash shtigjeve ku të mahnisin lulet e mbuluara me dritë. Shpirti i trazuar është një karakteristikë e këtyre hulumtimeve esenciale. Asistojmë kështusoj në një o ars amandi të qartë. Por, normaliteti i kërkimeve permanente kanë funksionin e tyre katalizator. Dualiteti paraqitet herëpashere si një blanë në brendinë e autorit, me vargje ku defilojnë sintagmat “trupeshpirt”, „zemërzanë” dhe „shpirtluaneshë”.

Nën rrezet e diellit që shpërthejnë drejt ideales, porsi një  soleil noir de la mélancholie, Remzi Basha ndjek shtigjet e dritës dhe të vërtetës. Ai parasheh eklipsën e diellit, të hënës e të fjalëve. Drita duhet mbrojtur nga rreziku i ekspansionit të elementeve të errëta. Në pikëshikim të ngjitjes, duhet permanentizuar sfondi autentik si një misionar i botës divine. Hija e zjarrit i vegon poemat e Këngës së detit. Parfumi i mendimit vjen si një puhi nëpër faqet e romanit “Drita e Dashurisë” të një krijuesi kosovar që jeton, vepron dhe ëndërron në trojet e Skandinavisë. Opcionet mirëbërëse i japin vlerë diskursit lirik. Autori e sheh dritën e butë duke fluturuar në erë. Drita e dashurisë i fanitet si një përkëdhelje e ëmbël dhe jehonë. Si puhia e një hijeje që kalon nëpër kohë. Në qendrën e tërësisë vjen feminiteti si një proces që të josh, si një një lidhje ndërmjet tokës e qiellit. Principi ujor i qeveris këto dëshmi të vërteta me ndjenja sublime në bebëzat e strukura në guacat e vetullave, nga të cilat burojnë valë ku fshihen perlat që s’i ka parë tjetërkush ndonjëherë.

Qenja e admiruar vendoset në zonën e perfeksionimit, e afërt me idealet e mëdha. Shpirti zë vendin e parë, me të gjitha gurët e tij të çmuar, madje edhe në humnera sublime. Faqet e kësaj vepre reliefojnë një klimë ëndërrimtare të harresave e kujtesave të përjetshme, rrëshqitjen e matur mbi një spirale shkëlqimtare. Ato të nxisin të kundrosh revelacionin e hënës e të yjeve, të shikosh madje edhe vetëveten, e të hulumtosh përherë, madje edhe nëpër ëndrra e në gjumë, derisa të ritakohesh me vetëveten, duke u zgjuar në mëngjez nga përqafimet e dritës së Afërditës. E gjithë kjo shëmbëllen me një pikturë klasike,  si një stoli e veçantë që gjendet diku, tejmatanë materjes.

Femra e bukur duket si një krijesë magjike për zbukurimin e botës

Ja forma kompakte e shpirtit ludik! Një çerdhe që s’e gjen në tokë, një vetull e gatshme për buzëqeshje. Ëndrrat lindin mes akullit e zjarrit, në një hapsirë të plleshme lirike. Kështusoj, dyshimet ndërhyjnë në mënyrë inerente, mbi sfondin e një ndjeshmërie poetike të veçantë. Misteri i pasqyrave vegon ngjitjen e shpirtit drejt botës së shpresave. Kaltërsia gjithëpërfshirëse sensibilizon deri në dridhje unin tonë poetik. Kromatikën ekzistenciale e zotërojnë nyanca hyjnore. Muzika e sferave e mbështjell imagjinatën. Hiri i yjeve i prafullon gjithnjë e më shumë buzët e etshme për këngë. Romani vjen para nesh edhe me vargje, kurse vargjet e Remziut kanë vokacionin e harmonisë, pulsin e akordimeve të matura. Poeti i përket një peisazhi të ekuilibruar parnasian: Statujë lëvizëse, e rrethuar nga acari dhe nga përjetësia. Vetullën e fundit do ta hap drejt teje. Do të rrokulliset një lot i madh e i rëndë, porsi një gurë i çmuar. Vërejmë me këtë rast omniprezencën e parimit esencial të feminitetit, femra te shqiptarët duke qenë një krijesë magjike për zbukurimin e botës.

Deti mund të pasqyrojë një nënë mbrojtëse. Materniteti fluid është i patopitur, i pashkrirë, regjenerues. Meriton të nënvizohet bashkëpërkimi kuazi-ekstatik i detit me natën: E kam përjetuar detin dhe në kohë të ndryshme, veçse verës në tërmetin e heshtur të plazhit, nuk murmuron më kënga te unë, zefiri në gjerësi duke endur me shungullimë reshë që gjëmojnë. Ishte deti i gjerë në furtunë. Rrimë vetë në bregun e humnerës së shkretë, dhe te këmbët e mia ushtonin do valë. Egërsia e detit duket si një natërim i shëndritshëm. Guacat kanë vlera sublime në ritualin e kurorave të valëve. Konotacione mbrojtëse,  prezente në disa poema, janë të shoqëruara nga jehona fine. Shpirti posedon konture marine (detare). Fati noton mbi ujërat e një origjinaliteti fluid, si një përqafim që të përlind. Shenjat e përmbushjes meditative me të cilat ballafaqohemi në një numër të konsideruar poemash të kësaj vepre, lindin një përfytyrim të thellë metaforik. Marshimi i pasforcuar i dritës kaplon vlerën e një profesioni besnik. Gjithëçka, vetëm e vetëm për të jetuar në gjirin e një pranvere të përjetshme të zemrës.

Autorin e kanë frymëzuar muzat e trojeve tona, jo vetëm për poezi por edhe për prozë. Personazhet e romanit të tij janë të gjalla, duke lëvizur absolutisht natyrshëm, duke qenë të motivuar në një rrëfim të nuancuar, të qartë, në të cilin detaji është i shpënë nganjëherë deri në kufirin e ëndërrimit dhe imagjinatës. Remziu është një shkrimtar për të cilin meriton të shkruhet më shumë. Vepra e tij të mbetet si një bukë me një kundërmim të këndshëm në tryezën e lexuesve tanë të etshëm për histori dhe kulturë. Në romanin e Remzi Bashës, Kosova shungullon si një lumë kujtimesh të bukura që ndërlidhen me dashurinë ndaj jetës së lindur për ta shijuar deri në përjetësi në plotëkuptimin e fjalës.

Ekzistojnë momente në jetën e njerëzve kur gjithçka reduktohet në asgjë, ndërsa asgjëja kaplon dimensionet e shpresës së fundit prej nga mund të riintegrosh dikurë fijen e një fillimi të ri. Të ripërtëritjes së ekuilibrit, dhe natyrisht, të shpirtit dhe kuptimit. Na flet për këtë, në një gjuhë krejtësisht të veçantë dhe me një forcë depërtimi të jashtëzakonshëm, Remzi Basha në romanin e tij. Tekstet e tij ndërtohen mbi do dëshmi konkrete kushtuar dashurisë ndaj njeriut dhe njerëzimit. Në romanin e tij ka shpaluar një skaj nga shpirti i florinjtë i këtij krijuesi briliant. Autori vjen para nesh me gjethin dhe me hijen e tij mbi zemër, me mendimin dhe dëshirën gjithmonë në vatrën e lisave të pavdekshëm. Libri i tij është edhe një mbrojtje e re në emër të dashurisë dhe të jetës së lindur përjetë.

Drita e dashurisë dhe femra si një desert i mirë për ëmbëlsimin e jetës

Remzi Basha është një poet i veçantë që din të depërtojë në universin e dashurisë, edhe përmes “Dritës së Dashurisë”. Ai vjen para opinionit me një vepër briliante që e ka parë dritën e botimit në Bukuresht, në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, në redaktim të autorit të këtij shkrimi që konsiderohet si një shqiponjë bukureshtare me dy zemra në krahëror, dhe me një engjëll mbrojtës në garsonierën e tij, një atdhetar i denjë për ta prurë Kosovën në veri të Danubit, dhe për ta përcjellë shpirtin e saj në portat e Parajsës. Duke e përqëndruar vëmendjen në këtë konstatim estetik, konstatojmë se ndjeshmëria shqiptare shëmbëllen me botën sentimentale suedeze, se autori vjen në gjirin tonë përmes magjisë së një gjuhe universale, e cila na josh përmes hijeshisë së saj dhe deshifrimit të enigmave të një miqësie të lashtë.

Për autorin, dashuria është një dhuratë e bekuar që të jep fuqi dhe shëndet. Por, siç qëndron kushtrimi i poetit mbi shtratin e gjuhës që e përdor, detyrohemi t’i hapim veshët në drejtim të tij, për të kuptuar atë që e thot personalisht, duke e përkthyer për ne kuptimin e portave të gdhendura në esencën e shprehjeve të tij: Po i krijoj netët nga shiu, të mos e shoh rrugën nga ke ikur, të mos i mbulojë pluhuri lirikat e mia. Por, që ta dëgjosh zërin e ujit, duhet të hapet guaca, në të cilën edhe ti, edhe Zoti, jeni hasur dikurë, për përgëzimin e njërit, dhe pastaj, duke u degdisur mes jush, i keni dhënë kuptim qiriut që nuk ka misionin e ndriçimit, por të vuajtjes dhe të kuptimit deri në shuarjen e trupit.

Paralelisht me dritën e tij dhe me atë të botës së panjohur që e pranon, poeti e sheh kulmin përmes prizmit preliminar të brigjeve të territ, errësirë ku derdhet çdo gjë, dhe si mund të mbrohet më mirë nga një tmerr i pakufishëm porta e mendimit tënd, intuitë e domosdoshme, qoftë madje edhe me mentesha të mbërthyera në glinën e butë të iluzionit. Poet i disponimeve refleksive, i ikjeve nga tiparet dhe i rikthimit opsesiv në kufirin ndërmjet materiales dhe imateriales, Remzi Basha ia transferon totalitetit universal atë pjesë të ndërgjegjes që quhet Lumturi, vetëm e vetëm për t’i dhënë kuptim krijimit të saj: Mbrëmë erdhe Ti, e Ti nuk ishe. Ishte vetëm pjesa jote e dhimbshme. As të preka, as të fola Siç po duket, ishte vetëm pjesa jote që ekziston (Nën diell dhe shi).

Me çelësat e të gjithë atyre që e lexojnë dhe përvetësojnë në mënyrën e vet këtë poet, frymëzimet e tij më joshin, madje dhe më gjunjëzojnë, për atë marr guximin të them se poeti na jep të gjithëve të drejtë, dhe mu përmes kësaj ai bëhet universal, duke na pajtuar dhe duke na nxitur të kemi besim ndaj fjalës, si dhe ndaj faktit:  Ku je shpirti im! Pse duhet të duhet ajo që të dhuron lumturi? Sepse ta mbash në krahë, gruan dhe universin, duhet të kesh zemër graniti, dhe fuqi për dashuri. Ku janë fëmijët e mi? Njëri në Kosovë, tjetri në Shqipëri, trupi im në Suedi. Unë jam rob i lirisë së tyre. Më jep paqe o Zot, të jap dashuri deri në amshim! Pos portave të Kosovës, këtu e ndjej disi të afërt edhe poetin, duke e gjetur të ashpër por të ndershëm në ndërmarrjet e tij krijuese, duke e vendosur gjithmonë në peshoret e jetës dhe të mendimit, jetën e ditëpërditshme të një bote të përbujshme, me të gjitha shenjat e stërholluara nga mjegulla e një relativizmi të pakapshëm.

Femra është dhurata më e bukur që na e solli Perëndia për t’u kënaqur dhe për tu mburrur me të. Disa fragmente të „Dritës së Dashurisë” e ngrejnë në qiell femrën si një desert i mirë për ëmbëlsimin e jetës. Autori i kësaj vepre vjen me shijen e jetës për hyjnizimin e bukurisë, duke i dhënë lexuesit kurreshtar mjaft mjaltë për lumturimin e shpirtit. Në faqet e veprës respektive defilon etja e bukur për dashurinë dhe lirinë, për familjen, farefisin dhe atdhedashurinë. Me këtë roman meriton ta bësh një natë të bardhë duke e lexuar. Meriton ta lexosh dhe pastaj ta mbyllish, i pajtuar dhe i lumtur me vetëveten dhe me familjarët që të rrethojnë. “Drita e Dashurisë” e sheh dritën e botimit në vigjilje të Ditës së Flamurit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Urime dhe gëzuar!

Rreth s.admin

Shikoni Gjithashtu

Gruaja që lindi 44 fëmijë

Një grua nga Uganda me 44 fëmijë, rrëfehet për jetën e saj Njerëzit ndonjëherë nuk …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Powered by keepvid themefull earn money