Lajmet e fundit
Kryefaqja / Ballina / Punonjësit fshehin sëmundjen nga frika e largimit nga puna

Punonjësit fshehin sëmundjen nga frika e largimit nga puna

Qindra punonjës që kryejnë punë me kimikate të rrezikshme janë të ekspozuar nga sëmundjet profesionale që u kushtojnë edhe jetën. Punëdhënësit nuk japin informacion për kimikatet që përdoren, ndërkohë që kontrollet zyrtare për kushtet e punës mjaftohen vetëm me masat e jashtme për të mbrojtur shëndetin e punonjësve. Ish-shefi i Klinikës së Sëmundjeve Profesionale, Niko Pecani: Mungojnë mjekët specialistë

Nga Avushe Zhuka

Çdo vit qindra punonjës të fabrikave në sektor të ndryshëm të industrisë preken nga sëmundjet profesionale si pasojë e përdorimit të kimikateve të rrezikshme në vendet e punës. Brenda një viti vetëm në qytetin e Vlorës janë evidentuar zyrtarisht 54 punonjës me sëmundje profesionale, ndërsa për të gjithë vendin numri i të prekurve është 1853. Të dhënat që Inspektoriati Shetëror i Punës (ISHP) i vuri në dispozicion Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi (SHGD) flasin për një ulje të numrit të punonjësve të prekur nga sëmundjet profesionale gjatë vitit 2014 krahasur me vitin 3013 ku në të gjithë vendin u regjistruan 3880 punëmarrës. Në degën rajonale Vlorë gjatë vitit 2013 u evidentuan 73 punonjës ose thënë ndryshe shifra e të prekurëve u ul me 19 persona. Por ajo çka bie ndesh është fakti se të dhënat për sëmundjet profesionale janë kontradiktore.

Në degën rajonale të Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Vlorë nuk ka të dhëna të sakta për punëmarrësit e identifikuar me sëmundje profesionale. Nga kjo drejtori bëhet e ditur se vetëm një punonjës i industrisë së naftës është identifikuar me sëmundje profesionale. Të pyetur për të dhëna apo statistika të tjera lidhur me sëmundjet profesionale në këtë rreth inspektorët thonë se është e vështirë të identifikohen pasi raportet mjekësore të aftësisë për punë i paraqesin të gjithë punonjësit, por mënyra sesi i sigurojnë ato mund të jetë edhe e dyshimtë. Mjeku Niko Pecani, ish-shef i Klinikës së Sëmundjeve Profesionale pranë QSUT-së bën të ditur se nuk mund të flitet për identifikim të saktë të sëmundjeve profesionale pasi shërbimi i sëmundjeve profesionale tashmë nuk ekziston. Dhjetë vjet më parë u vendos të mbyllej klinika e sëmundjeve profesionale ndërkohë që mungojnë specialistët e kësaj fushe. “Aktualisht ky shërbim ka përfunduar në zero dhe ky është një shqetësim i madh. Duhet krijuar urgjentisht një qendër me të paktën dhjetë shtretër dhe të ketë nga një mjek të sëmundjeve profesionale në çdo rreth”, shprehet Pecani.

Ish-shefi i Klinikës së Sëmundjeve Profesionale thotë se në këto kushte të dhënat për numrin e punonjësve të prekur nga sëmundjet profesionale nuk janë të sakta. “Në këtë situatë nuk mund të flasim për incidencë të rritjes së sëmundjeve profesionale për shkak se mungon mjeku profesionist. Pacienti kur ka shqetësime parqitet te mjeku i familjes, te patologu ose shtrohet në spital dhe mjekohet për simptomat. Nuk kapet apo diagnostikohet problemi i vërtet që në rastin konkret është sëmundja profesionale. Vetëm rastet e rënda dërgohen te ne dhe identifikohen si sëmundje profesionale”, pohon doktor Pecani. Sipas tij është e domosdoshme edhe përgatitja e profesionistëve të rinj në këtë fushë. “Kam disa kohë që po përpiqem që të organizohet një kurs ku të specializohen mjekë për sëmundjet profesionale. Është hedhur ideja, janë përgatitur lëndët mësimore, mirëpo propozimi ende nuk është miratuar. Bëhet fjalë për disa pengesa apo kleçka që duhet t’i zgjidhi Ministria”, thotë më tej mjeku i sëmundjeve profesionale.

Të dhënat e Inspektoriatit Shtetëror të Punës tregojnë se numri i punëmarrësve që punojnë në vende pune të rrezikshme për vitin 2014 ishte 13 223, ndërsa numri i punëmarrësve që punojnë drejtpërdrejt me substanca të rrezikshme 3271. Numri i subjekteve që mbulohen me shërbim mjekësor në të gjithë vendin për periudhën janar-dhjetor 2014 ishte 1187, ndërsa kontrolli periodik i punëmarrësve ekziston në 2151 subjekte. Sipas Inspektoriatit, duke krahasuar të dhënat e vitit 2014 me vitin 2013 rezulton se: “Në rang vendi ka një rritje të numrit të subjekteve që mbulohen me shërbim mjekësor dhe një rritje të konsiderueshme të numrit të subjekteve që përdorin pajisje mbrojtjëse kolektive dhe individuale, kjo si pasojë e rritjes së numrit të inspektimeve në subjektet që paraqesin rrezikshmëri për sigurinë dhe shëndetin në punë të punëmarrësve”.

Në drejtorinë rajonale të ISHP-së së Vlorës inspektorët të tregojnë formularët e deklarimit të sëmundjeve profesionale të vendosura mbi tryezë, por që nga plotësimi i tyre nuk është se kanë mundur të identifikojnë të prekurit. Sipas tyre, vet punonjësit nuk e deklarojnë sëmundjen pasi kanë frikë për vendin e punës ndërkohë që nga inspektimet e bëra në terren ka rezultuar se shpesh herë punonjësit nuk përdorim pajisjet e sigurisë në punë. “Na ka rezultuar se punonjësit nuk mbajnë maska apo dorashka edhe kur këto janë të siguruara nga punëdhënësi. Ne u kemi lënë detyrë subjekteve të plotësojnë kushtet e punës dhe të bëjnë matjen e ndotjes në ambientet e punës. Kemi vërë re përmirësime nga ana e subjekteve, janë marrë masa për ventilime për krijimin e kushteve të punës dhe në rastet kur nuk janë zbatuar detyrat kemi vendosur gjoba. Misioni ynë është lënia e detyrave, përmirësimi i kushteve, nuk kemi prioritet sanksionimin me gjoba”, shprehen inspektorët e punës. Për vitin 2014 janë vendosur rreth 3 milion lekë gjoba subjekteve por shumica e sanksioneve janë për sigurimet në punë dhe të pakta janë rastet për mosplotësim të kushteve të punës ku janë vendosur gjoba për mungesën e ventilimit, ajrimit në masën e 50 apo 100 mijë lekëve, kryesisht në fabrikat e prodhimit.

Drejtoria Rajonale e Shëndetit në Vlorë ngre të njëjtin shqetësim sa i takon neglizhencës së vet punonjësve për të mbrojtur shëndetin e tyre. “Në qytetin e Vlorës ushtrojnë aktivitetin rreth 90 subjekte të higjienës së punës duke filluar që nga punishtet e dru-aluminit, zdrukthtaritë, punishtet e mermerit ku janë të punësuar dy apo tre persona deri te fabrikat e mëdha. Inspektimi ynë ka konsistuar kryesisht në dy pika, nëse subjekti ka leje shëndetësore dhe inspektojmë nëse punonjësit kryejnë rregullisht kontrollet mjekësore dhe nëse kanë libreza shëndetësore. Natyrisht që ka problem përsa i përket kimikateve, ndotjes dhe rrezikshmërisë së tyre, por nga ana tjetër kemi vënë re edhe një mosinteresim të punonjësve për të mbrojtur shëndetin e tyre. Një rast konkret ka qenë ai i një fabrike të prodhimit të këpucëve, ku gjatë inspektimit konstatuam se punonjësit nuk mbanin maska në fytyrë për t’u mbrojtur nga përdorimi i lëndëve të rrezikshme. Fabrika kishte siguruar maska për të gjithë punonjësit por ata nuk preferonin t’i përdornin ato”, deklaron një nga inspektorët e shëndetit publik në Vlorë.

Edhe inspektorët e shëndetit publik në Vlorë thonë se është shumë e vështirë që të arrish në një përfundim për shifrën e personave të prekur nga sëmundjet profesionale në këtë rreth. Sipas tyre, nuk ekzistojnë të dhëna të sakta lidhur me këtë shifër, ndërkohë që edhe vet punonjësit nuk pranojnë asnjëherë që të vënë në dukje apo që të pohojnë shkaktimin e problemeve të tyre shëndetësore nga mjedisi apo kushtet në të cilat punojnë. Inspektorët thonë se një nga arsyet është edhe fakti se të punësuarit kërkojnë të mbajnë vendin e tyre të punës me çdo kusht. Nga Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë bëhet e ditur se tashmë kompentencat për inspektimet në subjektet e higjienës së punës i kanë kaluar Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Inspektorja e këtij institucioni, Ani Muçaj pohon faktin se prej pak kohësh kjo kompetencë i ka kaluar inspektoriatit. “Prej pak kohësh kontrolli i subjekteve të industrisë, tregtisë, prodhimit etj. lidhur me shëndetin në punë dhe me identifikimin e sëmundjeve profesionale na ka kaluar ne. Në muajin gusht ose në fillim të muajit shtator do të nisim inspektimin në këto subjekte për të parë situatën lidhur me shëndetin e punëmarrësve dhe higjienën në punë”, pohon Muçaj.

Në Spitalin rajonal të Vlorës, mjeku i sëmundjeve profesionale ose të paktën i identifikuar si i tillë nga drejtoria e burimeve njerëzore të spitalit Rajonal (pasi ai vet nuk pranon të jetë mjek i sëmundjeve profesionale por i urgjencave të helmimeve) nuk ka informacione. “Gjatë dy viteve të punës time këtu më është paraqitur vetëm një rast me sëmundje profesionale. Edhe ai erdhi për procedurë, pasi donte tia nisja dokumentet në Klinikën e Sëmundjeve Profesionale në Tiranë”, deklaron mjeku Aldi Duda. Në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.396, datë 28.06.2007 “Për përcaktimin e sëmundjeve profesionale” janë të listuara sëmundjet profesionale të shkatuara nga agjentët biologjik, infeksionet nga viruset, alergjitë e shkatuar nga pluhërat dhe efekte helmimi ose toksike. Ky vendim përcakton gjithashtu si duhet të funksionojë shërbimi mjekësor. “Çdo rast i dyshuar për patologji profesionale dërgohet për konsultë pranë kabinetit të sëmundjeve profesionale në klinika e spitaleve rajonale dhe në rastet kur duhet miratimi i plotë kalon për ekzaminim të mëtejshëm në Shërbimin e Sëmundjeve Profesionale pranë QSUT-së”, përcaktohet në vendim.

Udhëzuesi për substancat e rrezikshme e detyron punëdhënësin për të informuar punëmarrësit për cilësitë e rrezikshme të agjentit që trajtojnë, nivelin, llojin dhe kohëzgjatjen e ekspozimit dhe rrethanat e punës që përdor agjentë të tillë. Por ky udhëzues duket se nuk njihet nga punëdhënësit të cilët rezultojnë se nuk i informojnë punonjësit lidhur me rrezikun që u kanoset. “Nuk më kanë thënë asgjë lidhur me elementët apo kimikatet e rrezikshme që përdoren në punën që unë bëj. Mesa di unë asnjë nga të punësuarit aty nuk është informuar për ndotjen, ekspozimin ndaj kimikateve etj., por ne vet jemi të vetëdijshëm që ky është një vend me substanca e kimikate. Më skuqen sytë nga tymi që shkaktohet, jam i pajisur me maskë por jo me syze e dorashka”, rrëfen një punonjësit e industrisë së prodhimit të gomave. “Këtu punonjësit nuk qëndrojnë gjatë, largohen për disa muaj. Askush nuk do që të vërë në rrezik shëndetin e tij”, shton më tej punonjësi i cili nuk pranon të identifikohet, ndërsa thekson se njerëzit detyrohen të punojnë në kushte te tilla për të ushqyer familjen. “Ata nuk pranojnë të tregojnë se kanë probleme alergjike, probleme me frymëmarrjen apo ndotjen për arsye se nuk duan të mbeten pa punë. Kështu veprojmë të gjithë”, vijon të tregojë punonjësi i fabrikës së gomave. Që udhëzuesi nuk zbatohet në momentet kur punësohen personat kjo vërtetohet edhe nga punonjës të tjerë. Persona të punësuar në industrinë fasone, konkretisht në rrobaqepësi, tregojnë se nuk janë informuar nga punëdhënësi përsa i përket kimikateve të rrezikshme që përdoren apo rrezikun që mund të vij prej tyre. Kjo metodë punësimi ndiqet edhe në industrinë e rëndë.

Pasojat ndaj ekspozimit të kimikateve të rrezikshme, pluhrave, rrezatimeve shfaqen si sëmundje akute në rastet kur punonjësi ekspozohet direkt dhe bëhet fjalë për intoksikim akut (në rastet kur çahet tubacioni i solucionit me përmbajtje kimike). Sëmundjet profesionale shfaqen kur ekspozimi i punonjësit bëhet në mënyrë kronike dhe dëmtimet janë të vazhdueshme. Sëmundjet profesionale që shkaktohen nga pluhërat, sipas doktor Pecanit mbi 10 mijë veta janë të ekspozuar ndaj tij. “Kam zbuluar disa raste të reja me sëmundje profesionale të punonjësve që punojnë në gurore apo në pikat e shfrytëzimit të inerteve. Janë paraqitur te unë dy gra e një burrë që ishin prekur nga sëmundja në mushkëri si pasojë e ekspozimit të trye ndaj pluhurit. Ka fabrika të vogla që bëhen burim intoksikimi siç është rasti i një fabrike të prodhimit të baterive, ku 15 persona u intoksikuan”, tregon për disa nga rastet e të prekurve nga sëmundjet profesionale Niko Pecani.  Ndër të tjera ai ngre shqetësimin se ka konstatuar raste kur punonjësit e identifikuar me sëmundje profesionale pasi marrin mjekimin mbahen vetëm pak muaj në punë nga punëdhënësi dhe pastaj largohen. Kjo është një nga shkaqet që punonjësit mundohen ta fshehin sëmundjen.

Punonjësit e ndërmarrjeve ku përdoret solar tretës, të fabrikave të prodhimit të këpucëve, ku përdoret mastiç etj. rrezikojnë dëmtimin të sistemit nervor. Nga puna në miniera, industri si dhe bujqësi ku përdoren kimikate mund të shkaktohen edhe sëmundje kancerogjene. “Kemi raste të alergjive respiratore, azma profesionale, dëmtim të lëkurës nga faktorët kimik siç janë rrezet ultraviolet etj. Personat që punojnë në vende me zhurmë si në metalurgji, në miniera, ata që kryejne shpime rrezikojnë të kenë ulje të dëgjimit gjë që të çon në paaftësi në punë. Stresi dhe neuroza, dëmtimi nga pozicioni në punë etj. shkaktojnë sëmundje profesionale dhe paaftësi në punë”, shpjegon mjeku i sëmundjeve profesionale. “Një shofer rreth moshës 50 vjeç që ecën me shpejtë se 50 km në orë rrezikon të preket nga tensioni i lartë. Ky i fundit mund të shkaktojë sëmundje të zemrës. Por në rastin kur shoferët nuk vizitohen nga mjekë të sëmundjeve profesionale atëherë kjo sëmundje nuk mund të parandalohet. Kanceri profesional shkaktohet nga arseniku, kromi, benzoli, nga lëndët ngjyrosëse shumë prej tyre të reja. Kjo sëmundje shfaqet pas 20 vjetësh. Në qoftë se sëmundja nuk identifikohet qysh në fillim pas 20 vjetësh ajo nuk trajtohet më si sëmundje profesionale”, shprehet Pecani. Pranë kabinetit të sëmundjeve profesionale në QSUT kryhen rreth 1 mijë vizita në vit, disa prej tyre janë invalid të punës, disa rezultojnë se nuk janë të prekur nga sëmundja. Kryesisht personat e paraqitur diagnostikohen me probleme të mushkrive, ndërsa ata me dëmtime të lëkurës,veshëve etj. marrin mjekime në reparte të tjera.

* Ky projekt mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit

Rreth s.admin

Shikoni Gjithashtu

Gruaja që lindi 44 fëmijë

Një grua nga Uganda me 44 fëmijë, rrëfehet për jetën e saj Njerëzit ndonjëherë nuk …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Powered by keepvid themefull earn money