“Nëna e la fëmijën në taksi dhe iku!”

“Nuk di ç’nënë është ajo e cila la fëmijën në veturën time dhe, duke u arsyetuar se së shpejti do të kthehet, më nuk u kthye kurrë.

Jeta e taksistit është me plot ngjarje e ndodhi të ndryshme. Se është kështu flet edhe fakti i ngjarjes që i kishte ndodhur taksistit G. H., nga Shkupi.

Ai, në fakt, i lindur në Shkup, por thotë se familja e tij nga Dukagjini, në rrugë për në Stamboll, ndalet në Shkup dhe aty edhe mbesin përgjithmonë.

U takova me G. H. rastësisht, teksa më nevojitej një taksi afër stacionit të autobusëve në Shkup. Nga theksi e kuptova se duhej të ishte kosovar, ose me prejardhje kosovare. Dhe, ashtu edhe doli…

Më ka rënë të dëgjoj se taksistëve u ndodhin ngjarje të ndryshme. Andaj, edhe insistova t’më tregonte ndonjë ndodhi interesante. Dhe, ndodhia e tij ishte:

“Moti punoj si taksist. Dal herët në mëngjes, madje edhe në orën 4, sepse në atë kohë ka udhëtarë që kërkojnë taksi për të shkuar në aeroport.

Gjatë ditës, kryesisht, u bëj shërbim udhëtarëve nëpër Shkup, por nuk janë të rralla rastet kur edhe vij në Prishtinë, madje edhe në Mitrovicë, Gjilan e Pejë.

Në një rast mora nga baza urdhrin të shkoja në Spitalin Shtetëror të Shkupit, që ta dërgoja në vendin ku ajo dëshironte një femër, e cila kishte lindur në spital.

Kur arrita para spitalit, një grua priste në trotuar me foshnjën e saj në dorë.

E ndala veturën, dola jashtë dhe ia hapa derën. Ajo, pasi më përshëndeti, ngadalë hyri në veturë bashkë me foshnjën që e mbante në krah.

Kur u ul, lehtë ia mbylla derën. Hyra edhe unë në veturë dhe u ula e prisja…

“Ç’pret, pse nuk nisesh?”, më thotë ajo.
“Po e pres tënd burrë. Ndoshta nuk vonohet”, ia ktheva.
“Ç’burrë pret?! Nuk është këtu pari. As që ka ardhur t’më vizitoj. Pijaneci nuk e di as vetë se ku është… Prandaj, ndize veturën dhe shkojmë prej këtu”, më tha si me qortim ajo.

Pasi më tregoi vendin se ku duhej ta dërgoja, e ndeza veturën dhe ia therëm…

Pak para se të arrinim në vendin e caktuar, përnjëherë mu lut ta ndalja veturën, kinse, në anën tjetër të rrugës, në barnatore kishte për të blerë ushqim për foshnjën.

E ndala veturën në një vend parkimi, dola dhe ia hapa derën. Doli ngadalë me foshnjën në krah dhe u nis të trupojë rrugën, meqë në rrugicën që ishim veturat kalonin rrallë andej pari.

“Nuk vonohem shumë”, më tha teksa largohej nga unë.
Në ato çaste mendova se dëshironte të ikë se, ndoshta, nuk ka para të paguajë dhe nuk e kisha fort dert edhe po të mos paguante.

Por, kah mesi i rrugës u kthye dhe më tha:
“Foshnjën po e lë në taksi, se po mu marrkan mendtë, meqë ka ditë që nuk kam ecur”.

Ia hapa përsëri derën e veturës dhe ngadalë e la foshnjën dhe u nis përsëri ta trupojë rrugën. Unë, meqë duhej ta prisja, hyra në veturë dhe fillova t’i dëgjoja lajmet e mesditës.

Por, edhe pse lajmet përfunduan, ajo ende nuk u kthye. Dola nga vetura, shikoja në të gjitha drejtimet, por ajo nuk shihej dot. Humbi si ta kishte lëshuar toka…

Pas një kohe e thirra policinë. Nuk vonuan shumë dhe erdhën. U tregova se si kishte ndodhur ngjarja. Ata më urdhëruan që bashkë ta kthenim foshnjën në spital, ku edhe e kisha marrë.

Në spital e njohën foshnjën në bazë të shenjës që e kishte pasur ende në dorë.

Por, për mua nuk përfundoi ngjarja me kaq. Më thanë të shkoja me ta në polici për të dhënë deklaratë se si kishte ndodhur ngjarja.

Edhe aty, pas një pritjeje të gjatë, erdhi një hetues dhe ia tregova në hollësi ngjarjen. Kur dola nga stacioni i policisë terri mbi Shkup veç kishte rënë…

Dhe, ishte kjo një ditë imja pa fitim, por me një ngarkesë që edhe sot po më kujtohet si të kishte ndodhur dje…”, tha taksisti G. H., në fund të përmbylljes së këtij rrëfimi rrëqethës. Isa ILAZI /Kosovarja/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *