LETRA (DASHURIA) ME GJERMANKA

Është një numër i konsiderueshëm i qytetareve të Kosovës që janë në lidhje martesore me të huajt. Në numër më të madh janë djemtë/burrat ata të cilët martohen me vajza/gra të huaja.

Duke qenë kaq njëdimensional sa jemi ne si popull dhe duke pas një të kaluar që porositë në mos-përzierjen e gjakrave me të huajt, natyrisht që këto martesa në të shumtën e rasteve janë me tepër një plan financiar për të ardhmen.

Për të mos e përgjithësuar Moni është kosovari nga Peja që ka ndryshuar në praktikë nga kjo që jemi mësuar. Ai ka lumturuar jetën e tij me Annett, apo me Pipin siç e quan ai.

Moni nuk është kosovari që mori një gjermane vetëm sa ta siguroj një vend qëndrim në Perëndim dhe pastaj t’ia jap rrugët siç bëjnë të tjerët. Përkundrazi ai me shumë nervozizëm shprehet “Këtë duhet me e thonë…Ka shumë njerëz jashtë që kanë frik me jetu jetën e tyne si dojn’ vet, e veç hatri i familjarëve lëndojnë zemrat e tjerëve, për me ja ngop krejt tjetërkujt dëshirat, tu i lon’ të vetat anash”, shprehet ai për BaMagazine.

Në zanatin që ushtron Moni për shumë vite me radhë njerëzit të afërm me të, vinin e i thonin pareshtur që ta linte gruan e tij gjermane, e që do ta bënin ndonjë qare me ndonjë në Kosovë, mirëpo ç’është e vërteta Moni tregon që gjithnjë i kishte përzënë.

“Është hipokrizi ti shfrytëzosh femrat e huaja për letra, martesa ime është ndryshe, është dashuri pa pike interesi”.

Vetëdijesimi i mangët është pika kyçe që lidhet me këtë padrejtësi ndaj vajzave/grave  ‘të huaja’, sipas Monit. “Tek ne, njerëzit kane frikë të jetojnë ndryshe nga çka jetojnë të tjerët. Mendojnë që nëse dikush martohet me një të huaj “ia merr fytyrën familjes”, tregon me tutje ai.

Kemi dëgjuar shpesh fjalët “hajt se është Gjermane” sipas kësaj i bie qe vetëm shqiptaret janë njerëz dhe vetëm ata lëndohen. Moni tregon që shpesh i bie të turpërohet para të huajve për këto gjëra që bëjnë shqiptarët. Racizmi ndryshe nuk është sipas tij!

Sakrificat që ai ka parë tek vajzat/gratë e huaja për meshkujt nga Kosova është për tu dhimbsur se si i kthehet krejt në fund atyre, pas realizimit të asaj që djemtë/burrat tanë e synojnë që nga fillimi.

Moni dhe Annett janë çifti qe thyejnë gjithë këto shtrëngesa dhe komplekse ndër shqiptarët. Dashuria që kanë për njeri-tjetrin zhvesh secilin nga çdo paragjykim. Çifti së fundi kanë dhe Tanushin, djalin e tyre të vetëm, i cili po rritet mes dy kulturave. Ajo që është me e mira, është se Tanushi nuk do ti mbart me vete ato “dredhi” që bëjnë njerëzit nga origjina e babait të tij. Ai do ta mësoj që dashuria dhe martesa mund të behet jo vetëm mes shqiptareve, por me këdo në botë.

Moni nuk i përjashton kontraditat që mund të kenë çiftet në martesë  mes  nacionaliteteve të ndryshme, por gjitha këto e bëjnë akoma me tërheqëse dhe më të bukur jetën në martesë./Revista Barazia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *