Kur shteti të “bën” me djalë dhe të fut në sherr me familjen!

Preng Gjikolaj nga Lezha është akuzuar për mashtrim dhe i ishin bllokuar si prova, pasaporta dhe llogaritë bankare.

Teksa Gjykata e Lartë e nxjerr të pafajshëm, Prokuroria nuk ia zhbllokon llogaritë dhe nuk i jep mjetin e identifikimit, pasaportën. Përveç të tjerash, Prokuroria e Lezhës i hap një konflikt familjar, duke i shtuar Prengës edhe një fëmijë tjetër.

Në vitin 2008, Gjykata e Lezhës e dënoi Preng Gjikolajn me 100 mijë lekë gjobë për akuzën e mashtrimit. Çështja më pas shkoi në Apel, ku u dënua me 400 mijë lekë. Por, qytetari nuk e la me kaq. Ai iu drejtua Gjykatës së Lartë dhe kjo e fundit, në vitin 2012 e shpalli të pafajshëm, duke urdhëruar mosekzekutimin e vendimit penal, pra të pagesës së gjobës.

Gjatë gjykimit, qytetarit iu sekuestrua pasaporta dhe iu bllokuan llogaritë bankare.

“Kam shkuar disa herë në Prokurori dhe gjykatë, ku kam kërkuar që të zhbllokoj llogarinë bankare, por s’kam mundur. Në bankë rezultoj debitor me shumën prej 400 mijë lekësh. Nuk bëja dot asnjë veprim pasi më sekuestroheshin paratë, qoftë dhe të punës. Kam bërë ankesë tek Avokati i Popullit dhe ky i fundit i kërkoi informacion Prokurorisë së Lezhës”, u shpreh Gjikolaj.

Në përgjigje të Avokatit të Popullit, Prokuroria – sipas Preng Gjikolajt, – përveç vendimeve të gjykatave i kishte bashkëngjitur edhe materiale të tjera që i përkisnin qytetarit Florian Gjinkolaj. Dosje, e cila një kopje i shkon në shtëpi edhe Prengut.

“Më thonë se këtij personi i kanë sekuestruar një motor dhe kanë menduar se është djali im. Dokumenti është firmosur nga prokurori Gjergj Rudi dhe drejtuesi i Prokurorisë, Simon Pashuku. Këto materiale më vijnë në shtëpi dhe i shikon edhe bashkëshortja ime, e cila filloi të dyshonte se mos kam ndonjë djalë tjetër, pasi mosha e Florianit ishte afërsisht sa e djalit tim. Fillojnë debatet në shtëpi dhe deri më sot s’kam mundur t’ia shpjegoj se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Preng Gjikolaj.

Në prokurori atij i thanë se është një lapsus, ndërkohë në Zyrën e Përmbarimit qytetari rezulton të ketë një gjobë ndaj dhe i kanë lënë të bllokuar llogarinë bankare. Fiks Fare ju drejtua Prokurorisë së Lezhës. Drejtuesi z.Simon Pashuku bëri me dije se “bërja” me djalë e z.Gjikolaj ka qenë gabim. Ai tha se dokumentet janë vendosur gabim. Por ky nuk është i vetmi gabim i prokurorisë , tek urdhri i ekzekutimit të prokurorit Gjergj Rudi thuhet se Zyra Përmbarimore Lezhë duhet t’i kthejë qytetarit pasaportën, ndërkohë që pasaportën duhet ta kthente organi akuzës. Dhe kjo sipas kreut të Prokurorisë Lezhë është një “lapsus”.

“Fiks Fare” iu drejtua edhe Zyrës së Përmbarimit të Lezhës, ku drejtoresha Liza Çuni tha se pasaporta ka një vit në zyrën e Përmbarimit dhe nuk i është vënë në dispozicion qytetarit nga paraardhësit e saj, ndërsa për llogarinë, ajo tha se ka qenë bllokuar dhe e ka zhbllokuar vetëm pas këmbënguljes së emisionit.

Ndërkohë që në kamerën e fshehtë, që ka bërë vet qytetari në zyrën përmbarimore, i thuhet se pasaportën e ka Prokuroria duke e sorollatur.

Qytetari Preng Gjikolaj arriti më në fund të marrë pasaportën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *