Humbi djalin në shpërthimin e Gërdecit, nëna: Nuk e fal gjakun e djalit

Zamira, nëna që humbi djalin gjatë ngjarjes së ndodhur në Gërdec, përmes “Top Story” thotë që jetën e djalit të humbur nuk e fal kurrë. Për të nuk do të rreshtë asnjë sekondë duke kërkuar drejtësinë e munguar.

Pas 11 vitesh, sot Zamira ndihet e lodhur dhe e zhgënjyer, ndaj e vetmja gjë që e mban në jetë është zbardhja e kësaj tragjedie.

“Zotit ia fal, por robit jo. Atyre që ma bënë nuk ua fal kurrë jetën e atij. Një fëmijë i lindur në vitin 2000 të vdesë nga baruti e predha, që nuk i di çfarë janë? S’i kam borxh askujt, veçse më kanë jetën e gjakun e atij fëmije. Për të nuk do të rresht asnjë sekondë, sa të kem jetën time, do të kërkoj drejtësi, do t’i lëviz të gjithë gurët e kësaj bote. Kryetari i opozitës e çoi pallatin pas meje, (në Strasburg) Delijorgji i ka bërë ankimimet pas meje dhe mori dëmshpërblim, pse i kaluan afatet e paraburgimit, ka marrë dëmshpërlbim për Gërdecin, kupton se ku jetojmë? Gërdeci nga institucionet nuk u hetua si vepër korruptive, se ndodhi nga babëzia për parà dhe askush nuk ka hetuar”, tha Zamira Durdaj, nëna e Erison Durdaj.

Për “Top Story”, ajo tregon sesi Eri doli për të luajtur me biçikletë me fëmijët e tjerë, e më pas humbi jetën nga plagët dhe djegiet e rënda, që mori nga shpërthimi i armëve në Gërdec.

Edhe pse Erin e nisën për kurim në Itali, pas dy javësh ai nuk mundi t’u rezistojë plagëve të marra. Vogëlushi luftoi deri në fund, por kjo nuk mjaftonte. Për Zamirën, ndjesia e një nëne ishte lajmëtare e ngjarjes së kobshme.

“Fjala e parë që më tha ishte ‘më fal që ika pa leje’… Kjo ka qenë fjala e parë e Erit. Do shërohej e kisha shpresën, por djegia që ajo…e pati në pjesën e qafës e nuk furnizohej më komplet atë… që lidhen më qafën e trurin, nuk funksiononin, edhe rruazat e kuqe e të bardha kur ka bërë analizat në Itali nuk ishin… Ishte helmuar komplet organizmi, komplet, ndaj u shuan rruazat e kuqe e të bardha. E ndieva që në shpirt diçka u këput, Feruazani bëri sikur ishte në gjumë e nuk e dëgjonte telefonin, pas këmbënguljes sime të disa telefonatave, zileve që shkonin në Itali, ky e hap. Tha çfarë ke, thashë si është çuni, mirë tha ne jemi në gjumë. I thashë bëj be, jo tha jo, po shiko dy kalamajtë e tjerë se ai mbaroi. Kapa gocën që flinim bashkë, s’kisha ça të bëja, të ulërisja. Jam shtrënguar aq shumë sa nuk di çtë them”, tha Zamira Durdaj, nëna e Erison Durdaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *