GRUAJA, KJO DERË E HUAJ!

Si fetus ka raste kur edhe nuk i dhurojnë fare mundësinë e diskriminimit dhe e lindin me zor, domethënë e vrasin, sepse është e pafuqishme të mbrohet. Për ta vrarë, duhet ta nxjerrin me dhunë dhe hidhet në bërllok. Zakonisht nuk ka as varr. Nëse lindet, atëherë qysh nga zbritja në këtë botë, nuk konsiderohet pjesëtare e familjes, por disi tradhtare, derë e huaj quhet. Ka raste, kur me lindjen e saj, zhytet një familje në dëshpërim, ose patriarku  përlan për zverku gruan, pse nuk ka lindur fëmijë sipas porosisë së burrit. Edhe pse as e lindura, as nëna, nuk ndikojnë në gjininë, por psikopati lejon vetes të drejtën për t’i dhunuar që të dyja.Si vogëlushe mëson se ajo duhet të diskriminohet përball vëllezërve. Ajo do të mallkojë fatin e vet. Për të do të ketë edukatë tjetër. Ajo mësohet të luajë një rol në jetë, jo ta jetojë jetën. Ajo mësohet të shtiret. I shpjegohet se nënshtrimi i saj, rrit nderin e familjes dhe nesër të burrit. Ajo mësohet të sillet siç presin të tjerët, por jo të sillet siç ndjen ajo veten. Këtë stërvitje të përditshme, shoqëruar me kërcënime dhe rrahje, duhet ta pranojë qysh në moshë të re, e cila e shoqëron deri në pleqëri, kur zakonisht, rifiton dinjitetin e humbur.Në shtëpi nisë rrënimi i vetëbesim të saj dhe të të qenit njeri. Jo vetëm se përjashtohet nga trashëgimia, por edhe respekti është i pjesshëm, disi i zorshëm. Edukata që i imponohet përdhunshëm, nuk është edukatë, por manipulim i skajshëm, skllavërim, çfarë pastaj, ajo vazhdon me manipulimin e fëmijëve, duke besuar se mizorinë që ka përjetuar ajo vet, ishte ecuri edukative.Në moshën e pubertetit, – shfaqja normale dhe evolucionare e dëshirës seksuale -, vetëm kujdesi në veshje, mund të ndikojë për t’u emërtuar kurvë, edhe pse nuk është. Për të fituar epitetin e një gruaje që shet trupin, mjafton të krehë flokët mirë si nuk pajtohen mizogjinët, të buzëqeshet si nuk pranojnë mizogjinët, të ketë një të dashur, ose vetëm të ketë simpati për dikë. Të gjithë dinë se nuk është, por duke e akuzuar djallëzisht dhe krahasuar me gratë që ofrojnë shërbime me pagesë, pa mundësi mbrojtjeje, i ndalohet mundësia për të zgjedhur njeriun me të cilin do të kalojë jetën.Duke i imponuar edhe burrin, hidhet në një gjendje pa jetë shpirtërore dhe diskriminimi në shtëpi, ndikon pastaj në skllavërimin më të lehtë te burri dhe me depersonalizim e saj, mburret babai dhe bashkëshorti. Komplekset dhe trishtimi nga dashuria, prodhojnë një familje tollovi, ku të qenit vajzë, konsiderohet fatkeqësi. Jo rrallë përpiqen ta edukojnë si burrneshë, në kundërshtim me natyrën e saj si grua. Po flasim për vitin 2016 dhe statistikat tregojnë se mbi 60 për qind rrihen.Si bashkëshorte në të shumtën e rasteve, keqtrajtohet, jo pse e meriton, keqtrajtim nuk meriton njeri, por nga pasiguria në vetvete dhe frika e madhe e burrit. Nëse përpiqet të fitojë lirinë e munguar në shtëpi, do të rrahet tek burri për t’i kujtuar stërvitjen e saj në vatrën familjare. Keqtrajtimi nuk do të jetë vetëm fizik. Më shumë se 80 për qind përjetojnë dhunë psikike.Si nënë krahasohet me engjëllushen, por duhet të vazhdojë si është stërvitur në shtëpi: e pagojë, e pafjalë, pa pretendime, pa kërkesa, lavatriçe, pjatalarëse, shërbëtore, kuzhiniere, kameriere dhe duhet të jetë e gatshme për ta përkundur shpirtërisht burrin, që e shërben kur ai është në shtëpi, si foshnjën. Burrat e tillë dëshirojnë kujdestari të nënës dhe nuk rriten edhe kur kanë 70 vjet. Ata sillen si foshnje 70 vjeçare. Infantilë dinamikë, agresiv dhe me rrebe. Jo vetëm burrin, por shpesh  bëhen edhe infermiere e vjehrrës. Ndoshta edhe asaj që e ka keqtrajtuar në rini. Pasi të lindë fëmijë, merr guximin ta qortojë t’atin për rrënimin e jetës dhe ka vështirësi t’i gjejë kuptimin jetës.Si hallë, herë tepër e dhimbshme, herë fut hundët në jetën e vëllait, herë shumë e dashur, herë qortuese, herë tepër empatike. Si kunatë mund të bëhet edhe përbindësh, gati katastrofë dhe nëse mund ta manipulojë vëllanë, i shkakton tronditje në familje. Si teze, kryesisht e qetë, empatike dhe deri diku në distancë.Si vjehërr jo aq e mirë. Të rralla janë të mirat. Të mira janë vetëm ato, që nuk përzihen në jetën e bijve. Vetëm ato që pranojnë zgjedhjen e fëmijëve. Ato në pleqëri zgjohen dhe kuptojnë se jetën kishin kaluar në një kazermë. Kuptojnë se kishin humbur mundësinë për t’u çliruar nga skllavëria. Kuptojnë se u kishte munguar guximi. Kuptojnë se kjo jetë dhe kjo mundësi, nuk kthehet kurrë më. Ato kuptojnë përfundimisht, se me abuzimin si vajzë, u detyrua të sillet kundër natyrës së vet dhe mohoi dhe shkagoi lirinë e vetë. Ato do të flasin vazhdimisht për jetën e vështirë që kanë pasur, shpesh duke smiruar renë, për kohën e saj. Shpesh duke bërë krahasime të epokave. Shpesh me ndërhyrje siç qe ndërhyrë kundër saj. E manipuluar deri në palcë, përpiqet të riedukojë të renë dhe aty këtu bëhet shkaktare e shkurorëzimeve, e mungesës së lumturisë dhe rehatisë tek bijtë.Dinjitetin e rifiton pas dorëzimit të burrit dhe për herë të parë, merr guximin ta quajë “çyçan“, që si ironi e grave, ka kuptimin e impotentit. Dinjitetin mund të rifitojë edhe nga mirënjohja e bijve dhe empatia e tyre e madhe. Domethënë, pas përçarjes emocionale të familjes dhe kthjellimi të bijve, ku edhe nisë një izolim latent i atit, ose shpërfillje e dukshme. Ai pastaj akuzon gruan për marrjen e fëmijëve, por përsëri, nuk pranon fajin e vet se nuk ka dhuruar kurrë dashuri, por vetëm dhunë dhe dominim. Jemi duke raportuar për gjendjen në vitin 2016. Ka raste kur edhe kërkon hapur që djali, ta dojë më shumë atë se bashkëshorten dhe fëmijët e vet.Si gjyshe shpesh e këndshme si në përralla: ulur në një qoshe duke rrëfyer jetën plot vuajtje nipave: si nuk ka guxuar të flasë, si e kanë keqtrajtuar kunatat, si e ka rrahur burri, për lakrorin e djegur, pse i ishte përgjigjur kunatës e ngrysur dhe si do të kishte dashur të kalonte më shumë kohë me fëmijët, por duhej shërbyer një familje e madhe tërë ditën, kurse natën duhej të rehatonte burrin. Madje, edhe duke dashur nipat më shumë se fëmijët e vet, sepse i ka munguar koha për fëmijët e saj, gjersa shërbente të paftuarit si në një hotel.Djemtë në ato familje duke përjetuar abuzimin me nënën, abuzojnë nesër me gratë e veta, por vajtojnë fatin dhe vuajtjet e nënës, pa vënë re, se po abuzojnë me nënën e fëmijëve të vetë. Pra, i dhuron brezit të ri, fëmijëve të vetë, traumat që ka marrë ai. Kjo është arsyeja pse poetët tanë vazhdimisht vajtojnë nënat, por rrallë herë dashurojnë poetikisht gratë e veta. Poetët janë ana shpirtërore sensuale e një populli dhe poezitë e tyre nesër, do të jenë dëftuese kapitale për abuzimin me nënat. Si burrë shpesh despotik, patriarkal, kolerik, xheloz ekstrem, nënshtrues, qortues, oportunist dhe përpiqet të bëjnë djemtë e tij, çfarë kishte ëndërruar ai, duke fajësuar kohën, por jo paaftësinë. Nëse i ngjajnë nënës djemtë, mund edhe të zhgënjehet me gruan dhe ta terrorizojë atë.Si vëlla herë i mirë, herë shfrytëzues, herë ngatërrues, herë i gatshëm për sakrificë, herë i dhimbshëm, herë tutor. Si vjehërr, herë i qetë, herë ngucakeq, herë qortues i pa pushim, por me këmbëngulje të vazhdueshme, të mos ndryshohet gjë dhe të jetohet në të kaluarën. Si plak, si kalander, herë oportunist i skajshëm, herë rrangallë.Një tollovi e tillë familjare, traumatizon të gjithë. Askush askujt nuk i beson.Struktura familjare është një bashkësi interesi, jo lidhje emocionale me dashuri, por  për dukje, për ta impresionuar rrethin. Të gjithë mësohen të luajnë një rol siç mendojnë ata se pret prej tyre rrethi. Aty fëmija nuk lindet nga dashuria, por nga interes për ta ruajtur prindin në pleqëri. Derisa nuk ndryshon ky qëndrim, deri atëherë në vend se të hidhet paratë para, fëmijëve, do të hidhen pas, tek prindërit. Mënyra tillë mund të ndikojë në ngadalësim të përgjithshëm për zhvillimin dhe ndërtimin e ardhmërisë. Prind i tillë nuk duron pavarësinë e fëmijës dhe rrugën e tij, nga frika e braktisjes, por edhe dëshira dominimit dhe mbikëqyrjes. Sa më shumë marionetë të jetë fëmija, aq më shumë e lavdërojnë dhe i kërkojnë hapur para për lindjen, për jetën, çfarë duhet ta paguajë me këste.

Shkruan: Lis Bukuroca

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *