Mos e bëftë Zoti të bëhem president i Kosovës!

Në fakt, nuk di akoma se cili do të duhej të isha unë në shekullin XXI. Shekulli i protagonizmit të ndryshimit global, ku edhe dielli është fajtor për arinjtë polarë, që i mësyjnë ishujt të cilët akoma ruajnë akujt parahistorikë,.

Sikur të isha fëmijë do më rrihte babai, do më detyronte të punoja shumë, madje edhe në ara. Andaj, do doja të isha pak më shumë se fëmijë, nëse sociologjia do të zgjidhte një emër të moshës. Do të isha njeri që do dija edhe të dashuroja. Do të isha njeri që do të dija, madje, edhe të ëndërroja, shkruan “Kosovarja”.

Po të isha fëmijë, do të ngjitesha në kodrën e “Surgjakut”, si dikur, netëve të vona, kur vetëm unë i shihja yjet varur mbi të. Ngjitesha në maje dhe i shkëpusja një nga një, për t’i mbajtur në gji dhe t’ia sjellja nënës dhuratë.

Derisa nuk erdhe ti, unë nuk dija se ç’ishte dashuria!
Po të isha fëmijë, ai fëmija që i shihte yjet mbi kodrën e “Surgjakut”, më nuk do të shkoja kurrë natën t’i shkëpusja yjet. Por, aso kohe nuk do të ishe ti.

Dhe, deri kur nuk erdhe ti, unë nuk dija se ç’ishte dashuria! Madje, edhe bota jetonte pa dashuri! Askush nuk kishte dashuruar, askush nuk kishte puthur në jetë!

Sidoqoftë, nuk më pëlqen të kthehet koha pas, nuk më pëlqen të jetoja në atë kohën që nuk kishte dashuri! Kur erdhe ti, solle dallgë detesh, batica e zbatica, lot e mall dhe pagjumësi.

Ti, princesha e kohës sime! Ti, mbretëresha që vodhe gjumin tim, të netëve të pafund!

Kurrë nuk do të pranoja të isha president!
Dhe, teksa mendoj se si do të jetoj e si do zgjidhja jetën time, nën moton sikur të isha ky apo ai, ashtu a kështu, toka a qielli, uji a zjarri, nuk do të pranoja të isha presidenti i vendit tim, president i Kosovës!

Nuk do të doja të isha as kryeministër i vendit, që të shihja gjithë këtë brez të rinjsh që ikin jashtë vendit! Nuk do të doja të shihja nëna duke qarë, si në këngët e nizamëve. Sepse, nuk dua të jem kryeministër i vendi që udhëton nëpër oqeanin me mjegull, ndërkohë që busulla i ka humbur, e bregu nuk shihet dot!

Sikur të isha profë…
Por, nuk do të doja të isha as profë!
Ndjesë pastë një koleg yni, e që ka vdekur para ca vitesh, i cili tregonte një rrëfim rrëqethës, që po të kishte ndodhur sot, do ta merrte vesh e gjithë bota…

Një profesor universitar ishte dashuruar në një studente. Studentja ishte e vetmja vajzë, por me shumë vëllezër. Profa nuk po e vlerësonte me notë kaluese dhe, sado që ajo e përgatiste lëndën, ai e kishte marrë vendimin: Derisa nuk do e rrëzonte në shtrat edhe nuk do e kalonte!

Studentja, po të tregonte në shtëpi, familja do e ndalte nga fakulteti. Por, edhe po të vazhdonte pa folur, provimin nuk e jepte dot! Dhe, vendosi t’u tregojë vëllezërve, shkruan “Kosovarja”.

Vëllezërit i kishin thënë motrës të shkonte në afatin e rregullt të provimit dhe ta pyeste si do profa. Kështu, profa, i bindur se ia arriti qëllimit, i thotë studentes se do e pyes në kabinetin e tij.

“E kam ditur se vjen kjo ditë!”, i kishte thënë studentes.
Por, po në ato çaste, me vrull, në kabinetin e profës hyjnë vëllezërit e saj me indeksin e motrës në dorë.
“Qite notën ose ta marrim shpirtin!”, i thonë ata njëzëri. “Qe sa vite e more në qafë motrën tonë, i poshtër!”.
Profa, kokulur, i kishte shënuar notën në indeks dhe kishte mbetur si i shkërdhyer…

Kryeministresha me dashnore!
Besoj se keni dëgjuar për historinë e kryeministres së Serbisë, Bënabiç, për të cilën flitet e shkruhet në mediume: Ajo ka partnere, me emrin Milica Gjuriç, doktoreshë, disa vite më e re se kryeministresha serbe. Doktoresha është shtatzënë dhe pret të lindë foshnjën.

Dhe, askush në botë nuk e bënë të madhe këtë punë! Dy femra në zë presin të kenë një foshnje!

E, çfarë do të kishin shkruar, sikur të njëjtën gjë ta bënin dy femra shqiptare?! Me siguri, do të kishin bërë bujë mediatike, aq sa bota do merrej, kryesisht, vetëm me këtë problem! Safet Krivaça /Kosovarja/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *